Taulant Ismaili bëhet ‘prishtinali’

Një ndër lojtarët më të mirë të futsalit në vend, Taulant Ismaili, ka vendosur që karrierën e tij ta vazhdojë sërish në Kosovë, aty ku së fundmi ishte pjesë e kampionëve në fuqi të Feniksit, njofton ‘infOSport.mk’.

Ismaili ka nënshkruar me Prishtinën, skuadër kjo që me largimin e Feniksit nga elita e futsalit kosovar, konsiderohet si një ndër skuadrat kryesore pretendente për titullin e kampionit. Ismaili në këtë mënyrë ju bashkohet tre lojtarëve tjerë shkupjan, Erkan Seferit, Eljesa Nezirit dhe portierit Bujar Asani, i cili ditë më parë zyrtarizoi transferimin e tij te skuadra kosovare.

Për Ismailin adaptimi në futsalin kosovar pritet të jetë më i lehtë, duke pasur parasysh se në të kaluarën përveç me Feniksin, ai ka luajtur edhe me Besën e Pejës.

Sa i përket karrierës së tij në futsalin vendor, Ismaili kishte veshur fanellën e kampionëve të Zhelezarecit dhe Velesit, me të cilat skuadra numëron mbi 50 ndeshje  në garat e Ligës së Kampionëve, ndërsa gjithashtu tashmë disa vite me rradhë është pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë në futsal, për të cilën ka zhvilluar më shumë se 30 ndeshje.

Leave a Reply