Mesfushori kamerunas i Vardarit, Klarens Bitang është shumë pranë transferimit te Shkëndija e Tetovës, rivalit kryesor për titull të skuadrës shkupjane.
Bitang te Vardari erdhi shkurtin e këtij viti nga skuadra kamerunase e Union Douala, mirëpo kriza financiare që ka kapluar ‘kuqezinjtë’ nga Shkupi, ka bërë që Bitang të mendojë largimin.
Madje Shkëndija për shërbimet e mesfushorit qendror të Vardarit, nuk do të harxhojë asnjë qindarkë, duke pasur parasysh se kontrata e Bitang skadon në fund të këtij muaji.
Bitang ishte njëri ndër futbollistët më standard te Vardari gjatë stinorit vjeshtorë, duke qenë prezent në plotë 17-të, nga gjithsej 18 ndeshje. Ai mungoi vetëm në ndeshjen e javës së 12-të kundër Makedonija Gj.P në transfertë, për shkak numrit të kartonëve.
Megjithatë Bitang si duket nuk është dëshira e vetme e drejtuesve të Shkëndijës, të cilët nga rradhët e Vardarit gjithashtu dëshirojnë të marrin armenin Tigran Barsegian dhe mbrojtësin, Evgenij Novak.