Sot hidhet shorti për ndeshjet çerekfinale të Ligës së Kampionëve Europian

Sot në ora 12:00 hidhet shorti për çerekfinalet e Ligës së Kampionëve në Nion të Zvicrës.

Shorti për çerekfinale nuk ka kufizime që do të thotë se tashmë ekipet e së njëjtit vend mund të luajnë kundër njëra-tjetrës.

Në çerekfinale dominojnë skuadrat angleze pasi janë kualifikuar plotë 4 skuadra, si Mançester Siti, Mançester Junajted, Totenham dhe Liverpull. Një gjë e tillë nuk ndodhte që nga sezoni 2008-09.

Juventus është ndoshta skuadra që të gjitha duan ta shmangin, pas formës së lartë të Kristiano Ronaldos.  Po ashtu, për t’u shmangur është edhe i vetmi ekip spanjoll që ka mbetur në garë, Barcelona e Leo Messit.

Dy skuadrat tjera që plotësojnë tetëshen e mbetur në garë, janë Ajaksi dhe Porto.

Klubet që janë në çerekfinale kanë 21 kupa evropiane së bashku, ndërsa vetëm Totenhami dhe Mançester Siti nuk kanë arritur të triumfojnë në Ligën e Kampionëve.

Ndeshjet e para çerekfinale do të luhen më 9 dhe 10 prill, ndërsa ato kthyese më 16 dhe 17 prill.

Leave a Reply