Futsal Shkupi marshon sigurtë drejt titullit kampion, kapiteni Fazliu shkëlqen me “hat-trik”

Futsal Shkupi ka regjistruar edhe fitoren e 3-të me rradhë në ndeshjet e “Play-off”, njofton “infOSport.mk”. Skuadra nga Çairi sonte në rolin e mysafirit, mirëpo në palestrën “Enver Idrizi” pranë shkollës fillore “7 Marsi” mundi ekipin e Zhelezarecit me rezultatin 6:4.

Figurë qendrore në këtë takim doli të jetë kapiteni Arsim Fazliu, i cili realizoi “hat-trik”, dy gola shënoi Ismet Ceka, ndërsa një gol shtoi edhe Taulant Ismaili.

Fazliu golin e parë e realizoi vetëm pas 5 minutave lojë, ndërkohë në minutën e 14-të i njëjti futbollistë shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e Kiril Angellovskit.

Golin e tretë dhe të fundit gjatë pjesës së parë për Futsal Shkupin e realizoi Ismet Ceka në minutën e 19-të.

Fillimi i pjesës së dytë i takoi Zhelezarecit, skuadër kjo që falë golave të shënuar nga Filip Milevski (22’) dhe Mirko Bogeski (32’), ngushtoi epërsinë në 2:3, për të pasuar 3 gola të njëpasnjëshëm të “bardhekaltërve” me autorë Ceka (34’), Fazliu (36’) dhe Ismaili (37’).

Epërsia prej 4 golave (2:6) bëri që tek lojtarët e Futsal Shkupit të vërehet një komoditet, të cilin e shfrytëzuan vendasit dhe me dy golat e Nikolla Milenkoskit në fund pësuan një disfatë më të butë, 4:6.

Leave a Reply