Emini shënon dhe Dritën në krye të renditjes e çon

Izair Emini është rikthyer te goli me skuadrën e Dritës së Gjilanit, duke e ndihmuar këtë të fundit që të mund Ballkanin në ndeshjen e javës së 10-të në Superligën e Kosovës, njofton “infOSport.mk”. Tetovari shënoi golin e parë në fitoren 2:0 të skuadrës gjilanase, që udhëhiqet nga strategu shkupjan, Ardian Nuhiu.

Emini golin e parë e realizoi në minutën e 4-të, ndërkohë goli i dytë ishte pjesë e brazilianit Xhilberto Fortunato në minutën e 23-të.

Ndryshe pjesë e kësaj fitoreje të Dritës së Gjilanit, ishin edhe Ardian Cuculi, Bujamin Shabani dhe portieri maqedonas, Darko Tofiloski, ndërsa në bankinë mbeti Sedat Berisha.

Falë kësaj fitore, Drita tashmë ndanë pozitën e parë me rivalët e qytetit, Gjilanin. Të dyja skuadrat kanë grumbulluar nga 21 pikë, ndërkohë Ballkani i Ismet Munishit, që pas përfundimit të ndeshjes kishte ankesa drejt arbutrëve të takimit, ndodhet në pozitën e katërt me 20 pikë, po aq sa ka edhe Llapi në pozitën e tretë.

Leave a Reply