AS: Reali konfirmon Zidane, gati revolucioni në skuadër

Ndërkohë që në mediat spanjolle, por edhe në ato europiane me të madhe po flitet për largimin e Zinedin Zidane dhe pasuesin e tij në pankinën e Realit të Madridit, e përditshmja spanjolle “AS” ka zbuluar sot se presidenti Florentino Perez ka vendosur t’i besojë francezit edhe për sezonin e ardhshëm.

Sipas gazetës në fjalë, që është e afërt me Realin e Madridit, Zinedine Zidane do të mbetet edhe më tej në bankinën e “mbretërve” edhe nëse nuk do të arrinte të fitonte ndonjë trofe gjatë sezonit aktual.

Madje i njëjti burim pohon se drejtuesit “madrilen” po përgatiten për një revolucion të vërtetë në organikën e ekipit.

Kështu emra si Garet Bejll, Odriozola, Hames Rodrigez, Mariano Diaz dhe Luka Joviç, pritet të braktisin Realin e Madridit këtë verë, për të sjellë para kesh në arkat e klubit.

Nga ana tjetër trajneri francez Zinedin Zidane do të duhet të analizojë me vëmendje edhe ecurinë e futbollistëve që Reali i ka dhënë në huazim, si Lunin, Ashraf Hakimi, Reguilon, Oskar Rodrigez, Odegard, Dani Sebajos, Kubo e Borja Majoral.

Një pjesë e këtyre mund të rikthehen në Madrid në verë, ndërsa të tjerët do të provohet të shiten përfundimisht, për të sjellë në arkat e klubit sa më shumë para dhe për të provuar afrimin e lojtarëve që Zidane ka më për zemër.

Bëhet fjalë për dy kampionët e botës, Poll Pogba dhe Kylian Mbape, të cilët u kërkuan nga Reali që verën e kaluar, por për arsye të ndryshme marrëveshjet nuk u mbyllën me sukses, ndërsa gjithçka do të provohet këtë verë.

Të dy futbollistët mund t’u kushtojnë arkave të Realit të Madridit rreth 400 milionë euro, një pjesë e mirë e të cilave pritet të rikuperohet nga shitja e lojtarëve në pronësi të klubit, por që nuk bëjnë pjesë në projektin për të ardhmen.

Leave a Reply