Agim Ibraimi lëshon bombën: Më kërkuan lek për të luajtur me Shqipërinë!

Agim Ibrahimi, aktualisht pjesë e Shkëndijës së Tetovës ka pasur një karrierë shumë të mirë. Futbollisti tetovar ka pasur mundësinë të luajë për ekipe si Maribori dhe Kaljari, me këta të fundit që është bërë pishman që nuk qëndroi më shumë.

Tashmë pjesë e Shkëndijës së Tetovës, sulmuesi është shprehur se në të kaluarën është folur për një kalim te Shqipëria, por futbollistët shihen si biznes, duke shtuar se i janë kërkuar edhe lekë për të luajtur për Kombëtaren kuqezi.

“Ndoshta duhet të kisha qëndruar më shumë te Kaljari, pasi edhe atje donin të më mbanin, duke ditur që për huazimin tim paguan 900 mijë euro. Megjithatë unë vendosa të rikthehem përsëri te Maribori, kjo për shkak se luante në kupat e Europës. Në të kaluarën kam pasur edhe ofertë nga Partizani dhe nuk i dihet nëse një ditë luaj në Kategorinë Superiore”.

“Shqipëria? Neve futbollistëve shumë na shikojnë si biznes dhe lekë. Atëherë kam pasur shumë telefonata, por shumë njerëz fusin hundët në punët e futbollistëve. Kishte aq sa kërkonin lekë për të luajtur për Shqipërinë” – ka përfunduar Ibraimi, i cili më pas vendosi të luaj për Maqedoninë e Veriut, për të cilën ka zhvilluar 39 ndeshje, duke realizuar edhe 7 gola.

Debutimin e tij me fanellën e përfaqësueses së vendit, Ibraimi e kishte bërë me 12 gusht të vitit 2009 kundër Spanjës në Shkup, kur në minutën e 79-të kishte zëvendësuar Goran Pandevin.

Leave a Reply