Renova shënon 3 gola, por merr vetëm një pikë ndaj Vardarit në Shkup (VIDEO)

Renova ka shënuar plotë 3 gola në transfertën ndaj Vardarit në Shkup,mirëpo në fund duheshe të pajtohet vetëm me një barazim 3:3, kjo edhe për shkak startit të dobët, kur brenda 13 minutave të para portieri Hadis Velii, dy herë ishte i detyruar që të nxjerrë topin nga rrjeta, njofton “infOSport.mk”.

Një top në thellësi nga ana e kapitenit Darko Micevski, u shfrytëzua në maksimum nga ana e Martin Mirçevskit, i cili kaloi në epërsi Vardarin vetëm pas 5 minutave lojë.

Nuk vonoi shumë dhe një tjetër top në thellësi, kësaj rradhe në anën e djathtë i mundësoi Martinagas për të pasuar në zonë për Jovan Popzlatanov, i cili edhe me ndihmën e Mishkovskit në minutën e 13-të arriti që të mposhtë edhe për herë të dytë portierin mysafir.

Renova u kundërpërgjigjë në minutën e 28-të, kur Remzifaik Selmani shfrytëzoi pasigurinë e portierit Iliq dhe nga afërsia shënoi për 2:1.

Mirëpo këtu nuk ishte fundi i golave të shënuar gjatë pjesës së parë, pasi Filip Petkovski në manirin e golashënuesve të mëdhenj, në minutën e 40-të me kokë shënoi edhe golin e tretë në rrjetën e Renovës, skuadër kjo që megjithatë arriti të këndellet shumë shpejtë me super golin e Bashkim Veliut.

Mbrojtësi i djathtë i “gjipspunuesve” pasi pranoi një top në hyrje të zonës kundërshtare, lëvizi mjaft mirë me këmbën e djathtë, duke fituar hapësirën për të goditur me të majtën e tij, me të cilën shënoi një eurogol të vërtetë për rezultat 3:2.

Pra plotë 5 gola brenda 45 minutave të para, apo në çdo 9 minuta gol në arenën “Todor Proeski”, aty ku gjatë pjesës së dytë u shënua vetëm një gol, edhe atë në minutën e fundit të takimit nga ana e skuadrës mysfaire.

Remzifaik Selmani bukur veproi nga krahu i amjtë duke kthyer topin brenda zonës, aty ku mjaft mirë reagoi Shefit Shefiti, duke shënuar golin e barazimit, 3:3.

Është kjo ndeshja e dytë me rradhë, në të cilën Renova “kthehet në jetë pas vdekjes”, duke pasur parasysh se edhe në ndeshjen e mesjavës kundër Pelilsterit, e vlefshme për 1/8 e finales së Kupës, riktheu rezultatin nga 0:2, në 2:2, që më pas përmes ruletit të penaltive të kualifikohet për në çerekfinale.

Ndoshta janë këto shenjat e para për një rikthim të fuqishëm të Renovës, skuadër kjo që në kuadër të javës së 11-të do të ketë një detyrë tepër të vështirë përballë rivalit të madh, Shkëndijës. (Foto: gol.mk)

Leave a Reply