Super asisti i kumanovarit Lindon Selahi në golin e shënuar nga Uzuni (VIDEO)

Lindon Selahi, kumanovari 21-vjeçar, i cili premton shumë për kombëtaren shqiptare, sot përballë Kosovës luajti një super ndeshje, duke dëshmuar cilësitë e tij të larta, shkruan “infOSport.mk”.

Për më tepër numri 10-të që mbante në shpinë i shkonte shumë për shtati këtij super talenti, i cili  edhe pse vetëm 21-vjeç, me mënyrën e të luajturit dhe pasimet e sakta në mesfushë, na bënte të mendojmë se i njëjti po zhvillon shumë ndeshje bashkë me pjesën tjetër të Kombëtares shqiptare, edhe pse realisht ishte vetëm ndeshja e dytë, dhe e para si titullarë me fanellën “kuqezi”.

Ai kishte debutuar kundër Moldavisë me 14 tetor të vitit të kaluar, kur ishte inkuadruar në lojë fare në fund, ndërsa sot në miqësoren kundër Kosovës, Selahi luajti për plotë 65 minuta, duke bërë që Edi Reja ta ketë më shumë parasysh këtë talent me origjinë nga Kumanova.

Për më tepër asisti i tij në shënimin e golit të dytë nga ana e Uzunit në minutën e 65-të, bëri që futbollisti i Tuentes, të përfitojë zemrat e shumë tifozëe “kuqezi”, që besojnë se në një të ardhme të afërt me futbollistë të moshës së re, mund të krijohet një kombëtare e fuqishme e Shqipërisë, që sërish do kualifikohej në ndonjë event të rëndësishëm futbollistik, qoftë Europian, apo edhe Botëror, transmeton “infOSport.mk”.

Kur jemi tek futbollistët e rinj, vlen të theksohet se sot mesatarja e ekipit kombëtar shqiptarë, ishte 24.2, duke pasur parasysh se debutimin me ekipin e parë bëri edhe 17-vjeçari, Ramen Çepele, i cili bashkë me Ardijan Ismajlin, ishin dy mbrojtësit e fundit para portierit Etrit Berisha, që njëherit ishte edhe më i moshuari, me 31 vjet.

Gjithashtu vlen të theksohet se titullarë te Shqipëria luajti edhe kumanovari tjetër, Taulant Seferi, për të cilin ishte kjo ndeshja e tij e katërt me fanellën e ekipit të parë  “kuqezi”.

Leave a Reply