Futsal Shkupi fiton derbin lokal me Juventus Seravën

Futsal Shkupi ka shënuar fitore 9:3 në derbin lokal ndaj Juventus Seravës, njofton “infOSport.mk”. Ishte kjo fitorja e 12-të sezonale për “bardhekaltërit” nga Çairi, skuadër kjo që në këtë mënyrë rikthehet në krye të tabelës së klasifikimit me 38 pikë, po aq sa ka edhe KMF Proekt Josifovo, skuadër kjo që ka edhe një ndeshje më pak.

Figurë qendrore në rradhët e kampionëve në fuqi të Futsal Shkupit doli të jetë tetovari, Ismet Ceka, i cili realizoi 4 gola, ndërsa me lojë të mirë u dallua edhe Eljesa Neziri, që shënoi dy herë në portën e Bujar Buçit.

Në listën e golashënuesve te Futsal Shkupi u regjistruan edhe Zoran Leveski, Erkan Shabani dhe Aleksandar Gligorov, ndërsa në anën tjetër për Juventus Seravën, që zhvilloi një pjesë të parë shumë të mirë, realizuan Osman Mustafa, Furkan Shabani dhe Berkan Alce.

Pjesa e parë e këtij takimi u mbyll me shifrat 3:3, ndërsa pjesa e dytë në tërësi foli për Futsal Shkupin, që vazhdon të shkëlqejë edhe këtë edicion në elitën e futsalit vendor. (infOSport.mk)

Leave a Reply