Voska Sport nënkampion vjeshtor në Konferencën e Perëndimit

Për shkak borës që kaploi vendin tonë nga gjithsej 5 ndeshje të parapara për tu zhvilluar sot, u zhvilluan vetëm dy, njofton “infOSport.mk”.

Vardari në Shkup mundi Kadinon me rezultatin 3:0, me të tre golat e shënuar që në pjesën e parë me anë të Nikolla Naumoskit, Petar Ljamçevskit dhe Darko Glishiqit, derisa në Ohër, Voska Sport me shifrat 2:0 mundi ekipin e Besës nga Dobërdolli.

Kjo ndeshje për shkak kushteve të vështira klimatike, nisi me vonesë, ndërsa pas pjesës së parë pa gola, Voska Sport në të dytën arriti që të tund dy herë rrjetën e mysafirëve nga Dobërdolli.

Goli i parë erdhi në minutën e 64-të me autorë Hristijan Grozdanoski, ndërsa nuk vonoi edhe aq shumë, 9 minuta më pas, Behar Feta shënoi edhe golin e dytë dhe të sigurisë, që i solli skuadrës së Voska Sport edhe 3 pikë të reja.

Ishte kjo ndeshja e fundit e stinorit vjeshtorë, në të cilën Voska Sport që në debutimin e saj në Ligën e Dytë – Perëndim, arriti që të shpallet nënkampion. Një super rezultat ky për një skuadër mjaft ambicioze, e cila pas vetes arriti të la skuadrën me më shumë trofe në vendin tonë, Vardarin.

Pas 15 xhirove të zhvilluara në stinorin vjeshtorë, Voska Sport ka tubuar 32 pikë, 6 më pak se Sileksi i vendit të parë dhe 3 më shumë se Vardari i vendit të tretë. (infOSport.mk)

Leave a Reply