Kroacia trondit Francën midis Parisit, Islanda dhe Izraeli i bëjnë nder Shqipërisë (VIDEO)

Kroacia ka tronditur Francën, duke e mundur midis Parisit me rezultat minimal 1:0 në kuadër të grupit 1 në Divizionin A të Ligës së Kombeve, njofton “infOSport.mk”.

Kroatët golin e fitores e gjetën që në minutën e 5-të, kur nga pika e bardhë Luka Modriç arriti të mposhtë portierin e Milanit, Maignan.

Ishte kjo fitorja e parë e kroatëve përballë Francës në histori, duke larguar edhe përfundimisht “gjelat” nga gara për të mbrojtur titullin e vitit të kaluar në kuadër të Ligës së Kombeve.

Deri në zhvillimin e këtij takimi, francezët kishin 6 fitore ndaj Kroacisë, ndërs 3 ndeshje mes këtyre dy kombëtareve ishin mbyllur me barazime.

Pas kësaj disfate, Franca mbetet në pozitën e fundit me vetëm 2 pikë, derisa Kroacia me 7 pikë mban pozitën e dytë. Lider të grupit janë danezët, që sonte me rezultatin e pastërt 2:0 mundën Austrinë.

Në ndeshjen e vetme të grupit 2 në Ligën “B”, Islanda dhe Izraeli u ndanë në barazim 2:2, duke nderuar Shqipërinë në këtë mënyrë, që pavarësisht startit jo të mirë  në edicionin e sivjetëm të Ligës së Kombeve, mban gjallë shpresat për pozitën e parë.

Pas barazimit të sotëm në transfertë, Izraeli me 5 pikë kryeson renditjen para Islandës që në 3 ndeshje ka po aq barazime, ndërsa në vendin e tretë ndodhet Shqipëria me vetëm 1 pikë, mirëpo nga dy ndeshje të zhvilluara.

Pikërisht ndeshja e 24 shtatorit kundër Izraelit në transfertë mund të jetë vendimtare për fatin e “kuqezinjëve”, të cilët 3 ditë më pas (27.09) në shtëpi mirëpresin Islandën.

Në ligën “C”, ku bëjnë pjesë edhe Maqedonia dhe Kosova, në kuadër të grupit 3, Kazakistani mundi Sllovakinë me rezultatin 2:1, ndërkohë Azerbejxhani me shifrat 2:0 mundi Bjellorusinë. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply