Sadiku dhe Cikalleshi i bashkohen Kombëtares 

Armando Sadiku dhe Sokol Cikalleshi janë dy futbollistët e fundit që i janë bashkuar kombëtares shqiptare në Luksemburg, ndaj së cilës kombëtare nesër Shqipëria do të zhvillojë ndeshje miqësore.

Armando Sadiku dhe Sokol Cikalleshi pasi zhvilluan ndeshjet e tyre të fundit për sezonin 2016/2017 me skuadrat e tyre, udhëtuan drejt Luksemburgut për tu bashkuar me pjesën tjetër të skuadrës.

Që të dy nuk ishin me fat, pasi humbën ndeshjet me skuadrat e tyre. Sadiku me Luganon e tij humbi nga Lucerna e Hekuran Kryeziut, megjithatë siguroi pjesëmarrjen në Liga Europa, derisa Cikalleshi me ekipin e Akhisar pësuan disfatë në ndeshjen si vendas ndaj Karabukspor.

Cikalleshi vazhdoi me formën e tij të mirë, teksa realizoi njërin prej golave në disfatën 2:3 të skuadrës së tij. Për sulmuesin e kombëtares shqiptare, ishte ky goli i pestë në 7 përballjet e fundit, dhe në përgjithësi goli i tij i 7 në 14 përballje që zhvilloi me Akhisar Belediye  gjatë gjysmësezonit pranveror, te e cila skuadër u huazua nga ana e Bashakshehir.

Ndryshe Kombëtarja shqiptare sot ka hyrë në ditën e tretë të përgatitjeve të saj në Luksemburg, ku djemtë “kuqezinj” ditën e sotme e shfrytëzuan për ti bërë një vizitë qytetit ku janë akomoduar.

Futbollisti i vetëm që ende nuk i është bashkuar kombëtares “kuq e zi” është futbollisti i skuadrës amerikane të San Hoze,  Jahmir Hyka.

Leave a Reply