Osiejku mundi Mariborin, Ejupi dhe Ahmedi protagonistë të ndeshjes (VIDEO)

Dy futbollistët shqiptarë nga Maqedonia, Muzafer Ejupi dhe Valon Ahmedi rezultuan të jenë protagonistë kryesor në takimin kontrollues që zhvilluan skuadrat e tyre Osijeku dhe Maribori, njofton “infOSport.mk”.

Që të dyja këto skuadra në Slloveni po zhvillojnë përgatitjet në prag të ndeshjeve evropiane që i presin në Ligën e Kampionëve, gjegjësisht Liga Evropa, ndërsa ditën e premte trajnerët e të dyja skuadrave e shfrytëzuan për të zhvilluar një ndeshje kontrolluese.

Në fund fitorja i takoi Osijekut me rezultatin 2:1, ndërsa vlen të theksohet se që të tre golat u shënuan nga futbollistët shqiptarë.

I pari që realizoi në këtë përballje të zhvilluar në qendrën sportive “Pohorje”, ishte Valon Ahmedi, i cili në minutën e 31-të duke shfrytëzuar gabimin e portierit Mikuliç, kaloi në epërsi Mariborin.

Ky rezultat doli të jetë edhe rezultati i pjesës së parë, ndërsa në pjesën e dytë Osijeku me inkuadrimin në lojë të Muzafer Ejupit dhe Eros Grezdës, u paraqit shumë më ndryshe, duke krijuar disa raste shënimi, ku dy prej tyre sulmuesi shkupjan Muzafer Ejupi arriti që ti kurorëzojë me gol.

Saktësisht pas një ore lojë Ejupi shënoi golin e barazimit pasi lërceu më së larti në zonën kundërshtare dhe me kokë shënoi në rrjetën e kampionëve të Sllovenisë.

Nuk vonoi shumë dhe 5 minuta më pas, Ejupi sërish u shfaq protagonist, duke shënuar edhe golin e dytë, sërish me kokë pas një harkimi në zonë nga gjuajtja e lirë.

Te Osijeku në këtë ndeshje në lojë gjatë pjesës së dytë u inkuadrua edhe Eroz Grezda, anëtari i kombëtares shqiptare, i cili u transferua nga rradhët e Lokomotivës së Zagrebit.

Ejupi me dy golat e shënuar paralajmëroi se edhe këtë vit do të jetë figura qendrore te skuadra e Osijekut, që shpreson të paraqitet sa më mirë në ndeshjet e Liga Evropa.

Në anën tjetër futbollisti me origjinë nga Ohri, që po zhvillon sezonin e dytë te Maribori, Valon Ahmedi, beson se përmes paraqitjeve të mira në fazën e përgatitjeve të bie në sy të trajnerit Darko Milaniç dhe të marrë hapësirën e duhur si në ndeshjet eliminatore të Ligës së Kampionëve Evropian, ashtu edhe në kuadër të kampionatit slloven.

Leave a Reply