Kamza teston talentin e Shkëndijës!

Skuadra e Kamzës që në sezonin e ri futbollistik do të garojë në Superligën shqiptare shumë lehtë mund të ndodhë që të transferojë ish futbollistin ofenziv të Shkëndijës, Demir Imeri, shkruan “infOSport.mk”.

Ky i fundit ka filluar stërvitjet me këtë skuadër, ndërsa nëse kënaq drejtuesit e saj, me shumë gjasa Imeri edicionin e ri do të veshë fanellën e Kamzës.

21-vjeçari i lindur në Kërçovë, pritet që të jetë një përforcim i rëndësishëm për krahun e djathtë të ofenzivës së Kamzës.

Imeri ka qenë pjesë e kombëtareve të moshave të Maqedonisë dhe në sezonin e fundit ka veshur fanellën e Shkëndijës së Tetovës, me të cilën ka luajtur edhe në ndeshjet eliminatore të Liga Europa.

Imeri ka udhëtuar së bashku me ekipin e Kamzës nga Maqedonia dhe si fillim ai konsiderohet në provë te kamzalinjtë, me shpresën për të nisur një aventurë të re në futbollin shqiptar.

Ndryshe karrierën e tij Imeri e kishte nisur në vendlindjen e tij te skuadra e Vëllazërimit, që më pas të kalojë te Rabotniçki. Në janarin e vitit 2014-të ai u transferua me shumë bujë te Shkëndija, mirëpo assesi nuk arriti të gjejë veten te “kuqezinjtë” e Tetovës, të cilët më pas e huazuan te Horizont Turnova dhe më pas edhe te Renova.

Leave a Reply