Portieri Nojer mungon ndaj Shalke 04

Probleme për trajnerin Karlo Ançeloti në prag të ndeshjes së nesërme derbi ndaj Shalke 04. Strategu italian për ndeshjen e javës së 5-të në Bundesligë nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e portierit të parë, Manuel Nojer.

Ky i fundit do t’i mungojë skuadrës në përballjen në transfertë për shkak të një lëndimi që ka marrë në këmbë gjatë stërvitjes së sotme.

Klubi bavarez ka njoftuar përmes një postimi në faqen zyrtare në “Facebook” se gardiani gjerman është dëmtuar në këmbë gjatë stërvitjes dhe nuk do të udhëtojë me skuadrën për në Gellzenkirshen.

Ndeshja ndërmjet Shalke 04 dhe Bajernit të Munihut në program është të martën me fillim në ora 20:30, ndërsa bazuar në renditjen aktuale në Bundesligë, rezulton të jetë derbi i javës. Aktualisht Shalke dhe Bajerni renditen në pozitat 3 dhe 4 me nga 9 pikë, mirëpo me bavarezët më sipër për shkak gol-averazhit më të mirë.

Leave a Reply