Si dështoi transferimi i Cuculit fare në fund te Benevento e “Serie A”!

Merkatoja e futbollit ofron plot histori interesante e shpesh absurde, mjafton të kujtohet për shembull transferimi i David De Geas në verën e vitit 2016 nga Mançester Junajtedi te Real Madridi, që dështoi vetëm se transferta ndërkombëtare në sistemin online u bë pak sekonda pas mesnate. E çuditshme, të presësh gjithë verën dhe pastaj të mundohesh të mbyllësh një transferim me 31 gusht afër mesnate!

Një histori e ngjashme zbulohet nga “Supersport” që i ka ndodhur futbollistit të Shkëndijës, Ardian Cuculit.

Mbrojtësi kërçovarë është një ndër shtyllat e Shkëndijës, me një rendiment perfekt në qendër e në krah të mbrojtjes, ndaj shpesh ka qenë në shënjestrën e klubeve të huaja, por asnjëherë nga “Serie A” italiane, mirëpo vetëm deri këtë janar, pasi një e tillë i kishte ardhur nga Benevento.

Saktësisht me datë 29 janar Shkëndijës i erdhi një ofertë zyrtare nga kjo skuadër, ku i komunikohej Shkëndijës se mbrojtësi 30-vjeçar ishte në planet e klubit italian, që synonte të mbyllte gjithçka brenda 24 orësh.

Rast i artë, nga ata që ndryshojnë karrierën, natyrisht, ndaj Cuculi ishte gati të niset për në Itali, Shkëndija ishte e kënaqur me ofertën financiare për futbollistin e saj, aq më shumë që nuk mund t’ia prishte këtë ëndërr një futbollisti që ka dhënë gjithçka për klubin tetovar.

Megjithatë, në momentin e fundit gjithçka u anulua: Benevento tentoi ta regjistronte Cuculin në federatën italiane dhe aty doli në dritë një problem i paparashikuar dhe i pabesueshëm. Beneventos iu komunikua se nuk mund ta federonte Cuculin, për shkak se në klubin italian ishin të mbushur vendet për të regjistruar futbollistë ekstrakomunitarë.

Një problem që me sa duket te Benevento nuk e kishin marrë parasysh, ose për faktin se nuk e dinin që nuk lejoheshin  të federonin futbollistë shtesë nga vendet jashtë BE-së, ose sepse mendonin se Cuculi kishte ndonjë pasaportë komunitare.

Për të ardhur keq, është një mundësi që ndoshta Ardian Cuculit nuk do t’i paraqitet më, edhe pse në verën e ardhshme mund të tentohet sërish një marrëveshje mes Beneventos dhe Shkëndijës.

Leave a Reply