Shkëndija e rekordeve, lë pas edhe Barcelonën e Messit dhe sheikët e PSZH-së

Shkëndija dje edhe zyrtarisht pranoi trofeun e titullit kampion, duke përmbyllur në këtë mënyrë një super sezon që në vete ngërrtheu edhe disa rekorde, njofton “infOSport.mk”.

Shkëndija në 36 javë kampionat arriti 29 fitore, 4 barazime dhe 3 disfata, duke tubuar plotë 91 pikë.

Skuadrat që mund të lëvdërohen se kanë mundur super kampionët janë Pobeda, Akademia Pandev dhe Vardari. Këta të fundit e mbyllën kampionatin në vendin e dytë me 56 pikë, apo plotë 35 pikë më pak se Shkëndija kampione.

Në këtë mënyrë skuadra “kuqezi” nga Tetova vendosi emrin e saj në analet e futbollit europian, si skuadra që ka arritur dallimin më të madh ndaj konkurrentëve, në këtë rast Vardarit, duke pasur parasysh se Paris Sen Zhermeni i “sheikëve” në sezonin 2015/2016 me 96 pikë të tubuara kishte fituar titullin kampion me 31 pikë epërsi ndaj Lionit.

Me epërsinë prej 35 pikëve ndaj Vardarit, Shkëndija gjithashtu arriti të vendos një rekord edhe në historikun e futbollit të Maqedonisë, duke u bërë skuadra  e parë që ka arritur një epërsi të tillë pikësh ndaj vendit të dytë në tabelë. Deri më tani këtë rekord mbante Vardari, që në sezonin 1992/93 kishte 21 pikë më shumë se Sileksi i vendit të dytë.

Shkëndija me efikasitetin e lartë të treguar gjatë sezonit që lamë pas bëhet skuadra e dytë në historikun e ndeshjeve të Ligës së Parë Futbollistike të Maqedonisë që brenda një sezoni shënon më shumë se 100 gola.

Ishte kapiteni Ferhan Hasani, ai i cili realizoi golin e 100-të dhe më pas edhe të 101-tin, ndërsa më parë një gjë të tillë kishte bërë Vardari kur në sezonin 1992/1993 me një kampionat të përbërë prej 18 skuadrash, kishte shënuar plotë 119 gola.

Falë shifrës së 101 golave të shënuar këtë edicion, Shkëndija doli të jetë më efikase se edhe Barcelona, që të dielën në mbrëmje nuk arriti të shënojë golin e 100-të, përballë Real Sociedadit, duke u ndalur kështu në shifrën e 99 golave të shënuar brenda një sezoni.

Një rekord tjetër këtë edicion si pjesë e Shkëndijës, por që megjithatë është individual, ka të bëjë me Besart Ibraimin, që bëhet futbollisti i parë në historikun 25-vjeçar të futbollit në Maqedoni, që në tre sezone të njëpasnjëshme shpallet si golashënuesi më i mirë, duke tejkaluar njëherit shifrën prej 20 golave sezonal.

Leave a Reply