Skënderbeu mund Laçin dhe fiton Superkupën e Shqipërisë

Skënderbeu është shpallur për herë të tretë fitues i Superkupës së Shqipërisë. Skuadra korçare në stadiumin “Selman Stërmasi” mposhti me vështirësi 3:2 Laçin, por që i mjaftoi për të ngritur larg trofeun e parë të sezonit dhe të tretin në histori.

Pjesa e parë nuk paralajmëroi një spektakël të tillë me 5 gola, pasi e njëjta u mbyll me barazim pa gola.

Mirëpo vetëm pas tre minutave lojë në pjesën e dytë, ishte Regi Lushkja që kaloi në avantazh kurbinasit. Reagimi i korçarëve ishte i befasishëm, me Alitin që vendosi barazpeshën përpara se Muzaka me penallti dhe Dejvi Bregu me një gol të bukur të përmbysnin gjithçka.

Megjithatë, për të rikthyer emocionet e këtij takimi mendoi Xhixha që 6 minuta përpara fundit ngushtoi epërsinë e korçarëve, që megjithatë nuk lejuan edhe një gol të tretë të barazimit.

Përfundimisht 3:2 dhe Skënderbeu fiton Superkupën e Shqipërisë. Më parë, trofeun më të rëndësishëm Skënderbeu e kishte fituar në vitet 2013 dhe 2014.

Leave a Reply