Hamdi Salihi në stafin e ri të Kombëtares shqiptare!

Edi Reja ditë më parë edhe zyrtarisht u emërua në postin e trajnerit të Kombëtares shqiptare. Ai tashmë ka zgjedhur edhe bashkëpunëtorët e tij, mirëpo emrat e tyre nuk deshi ti publikojë gjatë konferencës për shtyp, pasi të njëjtit ende nuk janë zyrtarizuar.

Dhe njëri prej tyre duket se do të jetë ish-sulmuesi i Kombëtares “kuqezi”, Hamdi Salihi, i cili ka varur “këpucët në gozhdë” pak kohë më parë.

Një lajm i publikuar fillimisht nga “Ballkanëeb”, por nuk është zyrtar dhe ende nuk është e qartë çfarë pozicioni do të mbajë Salihi, gjithmonë nëse do të jetë edhe ai pjesë e stafit të trajnerit Reja.

Italiani ka kërkuar si ndihmës Alesandro Kalorin, ish-lojtarin e Peuxhas, që së fundi ka drejtuar Ternanën, ndërsa te Kombëtarja shqiptare së fundmi është bërë e modës që ish-futbollistë të saj të bëhen pjesë e stafit teknik të saj.

Ka ndodhur kështu me Bogdanin, Bushin dhe së fundmi me Bulkun, i cili madje në ndeshjen e fundit kundër Andorrës luajti edhe rolin e trajnerit kryesor, pas largimit të Kristian Panuçit.

Për Hamdi Salihin do të ishte kjo hera e parë që do të ishte pjesë e një stafi teknik, ndërsa një gjë e këtillë me siguri se do të mirëpritej nga tifozët shqiptarë, pasi shkodrani mbetet një ndër figurat më të dashura për atë që ka dhënë me fanellën e Kombëtares shqiptare.

Hamdi Salihi me Kombëtaren shqiptare numëron 50 ndeshje dhe 11 gola të shënuar.

Leave a Reply