Vardari jashtë Europës, Ak.Pandev fitoi Kupën, në Europë luajnë edhe vendi i 4 dhe 5

Pasi Vardari edhe zyrtarisht mbeti pa liçencë për të luajtur në Europë dhe Akademia Pandev fitoi Kupën e Maqedonisë, tashmë është e qartë se një vend për në ndeshjet eliminatore të Liga Europa do të përfitojnë skuadrat në vendet 4 dhe 5, njofton “infOSport.mk”. Dhe nëse shohim renditjen momentale, i bie që Rabotniçki dhe FC Shkupi të ishin ato dy skuadra që do ti gëzoheshin Europës, mirëpo fati deshi që këto dy skuadra të luajnë mes vete pikërisht në ndeshjen e javës së fundit. Rabotniçkit do i konvenonte edhe një barazim, ndërsa për FC Shkupin në këtë ndeshje vlen vetëm fitorja.

Dy skuadrat tjera që mund të përfitojnë nga e gjithë kjo janë Renova dhe Makednija GJ.P. Skuadra shkupjane pasi nuk mundi që Europën ta sigurojë përmes Kupës së Maqedonisë, ku u mund në finale nga Akademia Pandev, do të orvatet që një gjë të tillë të bëjë përmes ndeshjeve kampionale. Ata kanë një detyrë të lehtë në udhëtim ndaj Pobedës, që sezonin e ardhshëm do të luaj në Ligën e Dytë, mirëpo nuk varet gjithçka nga ata, pasi në atë rast Renova duhet humbur ndeshjen ndaj Shkëndijës, ndërsa në derbin e javës midis Rabotniçkit dhe FC Shkupit të ketë të paktën fitues.

Janë këto vetëm disa nga kalkulimet, edhe pse në rend të parë janë Rabotniçki dhe FC Shkupi që do të vendosin vetë për fatin e tyre, ndërkohë nëse Renova dhe Makedonija GJ.P në fund kanë pikë të barabarta, do të jetë skuadra shkupjane që do të sigurojë një vend për në ndeshjet e Liga Europa, pasi ka bilanc më të mirë në ndeshjet e këtij sezoni kundër Renovës, transmeton “infOSport.mk”.

Pikërisht ndeshjet mes tyre janë vendimtare në këtë rast, e nëse aty skuadrat dalin me rezultate dhe gol averazh të barabartë, atëherë vendos gol-averazhi i përgjithshëm.

Leave a Reply