Njihuni me futbollistin e Hanoverit që braktisi Shqipërinë për Kosovën

Futbollisti i skuadrës gjermane, Hannover 96, Valdrin Mustafa është larguar nga Kombëtarja e Shqipërisë.

Kosovari nga muaji shtator do ta përfaqësoj Kosovën në grupmoshat U21, shkruan IndeksOnline.

Ai para disa muaji e kishte paralajmëruar trajnerin Alban Bushi, pasi ky i fundit në disa ndeshje nuk e kishte ftuar fare sulmuesin e talentuar.

Në një intervistë ekskluzive për IndeksOnline, Mustafa thotë se është i lumtur që do ta përfaqësoj Kosovën, si dhe tregon arsyen e largimit nga Kuqezinjtë.

“Jam shumë i lumtur që do të luaj për Kosovën. Kjo kombëtare po rritet dita ditës dhe unë jam shumë i gëzuar se do të jem pjesë e këtij progresi. E gjithë familja ime është nga Kosova dhe sigurisht se është një kënaqësi e madhe ta përfaqësosh vendin nga ke ardhur. Sigurisht se Shqipëria ka qenë ëndrra ime dhe do të vazhdoj t’i përkrahi. Shumë suksese për ta në të ardhmen“, – ka thënë Mustafa.

21-vjeçari do të jetë i gatshëm të luaj për Kosovën U21 qysh nga muaji shtator. Madje ai mund të luaj edhe në ndeshjen e 9 shtatorit, ku Kosova udhëton në Angli.

“Do të ishte një nder i veçantë për mua nëse do të më jepej mundësia të luaj në ndeshjen e parë, dhe sidomos duke parë si kundërshtar Kombëtaren e Anglisë. Shpresoj që kjo të ndodhë“, – vazhdon kosovari.

Nëse Mustafa nuk luan ndaj Anglisë, ai do të jetë i gatshëm më 15 tetor, pikërisht ndaj Shqipërisë U21.

“Unë kam të kaluar të mirë me Shqipërinë, nëse luaj ndaj tyre sigurisht se do kisha shumë emocione. Nuk di se çfarë të them“, – shtoi ylli i ri i Kosovës.

Valdrin Mustafa ishte pjesë e Kaiserslautern para transferimit në Hannover gjatë sezonit të kaluar.

Leave a Reply