ZYRTARE, PSZH blen kartonin e Ikardit

Telonevela Mauro Ikardi që zgjati për më shumë se një vit mbyllet me një fund të lumtur për të gjitha palët.

Këtë të dielë sulmuesi argjentinas u bë zyrtarisht një lojtar i Paris Sen Zhermenit në të gjitha efektet, pasi Interi pranoi të ulte disi pretendimet ekonomike dhe kampionët e Francës ushtruan të drejtën e blerjes së kartonit të bomberit nga Rosario.

Marrëveshja për kartonin e Ikardit u arrit mbi bazën e 50 milionë eurove që do të shkojnë menjëherë në arkat e klubit “zikaltër” plus 8 milionë euro të tjera në formë bonusesh lehtësisht të arritshme për një total prej 58 milionë eurosh, ndërkohë që në marrëveshje është përfshirë edhe një klauzolë se në rast se PSZH-ja vendos ta shesë Mauriton te një klub italian brenda 12 muajve të ardhshëm do të derdhë në arkat e Interit edhe 15 milionë euro të tjera.

Siç njoftoi edhe klubi i PSZH, Ikardi ka firmosur me parisienët një kontratë deri në vitin 2024 me një pagë prej plot 10 milionë eurosh në sezon.

20 golat e realizuar nga 27-vjeçari gjatë këtij sezoni ndërmjet “Ligue 1”, Kupave të Francës dhe Ligës së Kampionëve bindën drejtorin sportiv të francezëve Leonardo të blente kartonin e Ikardit për më tepër që në fund të këtij sezoni, PSZH do të humbasë edhe Edinson Kavanin që i skadon kontrata.

Në momentin e huazimit të futbollistit te kampionët e Francës në 31 gusht të vitit të kaluar ishte rënë dakort që PSZH do ta blente kartonin e sulmuesit për shumën  e 70 milionë eurove, por kriza ekonomike nga koronavirusi bëri të vetën edhe në këtë operacion merkatoje, me Interin që uli me rreth 20 milionë euro kërkesat e saja, edhe pse bonuset prej 8 milionë eurosh mund të arrihen lehtësisht pasi lidhen me kualifikimin në Ligën e Kampionëve gjatë sezonit të ardhshëm të PSZH dhe një numri të caktuar golash.

Me këtë shitje “zikaltrit” kanë rregulluar ndjeshëm bilancin pasi Ikardi ka sjellë një plusvalencë prej më shumë se 48 milionë eurosh.

Ikardi u bë kështu shitja e dytë më shtrenjtë në historinë e Interit duke kaluar dhe fenomenin Ronaldo ndërkohë që para tij qëndron vetëm Zlatan Ibrahimoviç të cilin “zikaltrit” e shitën në vitin 2009 te Barcelona për 69,5 milionë euro.

Leave a Reply