Tërbohen “Tifozët Kuqezi”: Ikni po se ndjetë peshën e fanellës

Kombëtarja e Shqipërisë mbrëmë u mund në Tiranë përballë Lituanisë, duke zhgënjyer gjithë tifozët shqiptarë, përfshirë këtu edhe më besnikët e tyre, “Tifozat Kuqezi”. Ata kanë mbetur të zhgënjyer nga mungesa e impenjimit dhe kanë dalë me një deklaratë, ku theksojnë se në fushë ishte një ekip pa gjak. Ata arrijnë deri aty sa që kërkojnë edhe largimin e ndonjërit, nëse nuk e përballon peshën e fanellës.

“Dashurinë për Kombëtaren nuk na e mohon askush, as rezultatet e as mos-impenjimet e protagonisteve që zbresin në fushën e lojës, apo atyre që sot mund të kenë marrë përgjegjësi për të administruar ekipin. Këtë dashuri e kemi dëshmuar edhe shumë herë të tjera, duke mos reshtur për asnjë moment së përkrahuri ekipin kombëtar.

Ne do ta përkrahim gjithmonë e gjithnjë, pavarësisht rezultatit dhe dëshirës për të fituar, por edhe nuk do rrimë duarkryq, por kërkojmë përgjegjësi e llogari, ndoshta jo shumë për humbjen sesa për mos-angazhimin dhe ndjesinë e peshës së fanellës kuq e zi dhe asaj që ajo përfaqëson për neve. E pafalshme!

S’ka rëndësi rezultati, ka rëndësi transformimi nga një ekip i mirë para 96 orëve në Minsk, në një ekip pa gjak e pa dëshirë për lojë në Tiranë. Aspak profesionale mungesa e disiplinës nga lojtarët dhe atyre që ju japin leje që vetëm një natë me herët marrin pjesë nëpër festa, e të njëjtit mundohen të fshihen pas fatit.

Merrni përgjegjësinë, pasi ne nuk harrojmë. Nëse pesha e asaj fanellës është e rëndë, atëherë tërhiquni, pasi nuk lejojmë tallje me diçka që për neve konsiderohet e shenjtë!”, – shkruhet në reagimin e “Tifozave Kuq e Zi”, pas humbjes turpëruese në “Air Albania” përballë një kundërshtari si Lituania.

Leave a Reply