Volfsburgu i ofron 400 mijë euro Kukësit që ta luajnë ndeshjen në Gjermani!

Duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Skuadra e njohur gjermane e Volfsburg, që do të luaj kundër Kukësit në raundin e dytë eliminatorë të Liga Europa, i ka bërë një ofertë shumë interesante skuadrës shqiptare.

Gjermanët nuk kanë dashur të udhëtojnë drejt Shqipërisë, me ç’rast nga skuadra e Kukësit kanë kërkuar që ndeshja të luhet në “Volsfsburg Arena” dhe jo në “Air Albania”. Nëse nënkampionët do të binin dakord, nuk do të dilnin “thatë”.

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se ka qenë vetë drejtori Nderim Nexhipi që ka marrë pjesë në këto negociata. Ai është një njohje e vjetër e gjermanëve, pasi edhe ka luajtur për Volfsburgun. Kjo ka qenë ide e gjitha e kundërshtarëve, prej situatës së krijuar nga “COVID-19”.

Nga kjo marrëveshje, Kukësi do të përfitonte 400 mijë euro, shto këtu edhe shpenzimet e udhëtimit apo fjetjen që do të ishin që të gjitha të hequra. Do të ishte pala gjermane që do i mbulonte ato, prej parave që do të vinin kryesisht prej sponsorëve apo të drejtave televizive.

Të pyetur nga gazeta janë vetë drejtuesit e klubit të cilët e pranojnë këtë fakt. Edhe pse vetë presidenti Safet Gjici nuk e ka pasur me shumë qejf këtë zhvendosje të ndeshjes në Gjermani, është vetë UEFA që nuk e ka aprovuar këtë plan. Qeveria europiane e futbollit nuk e lejon një gjë të tillë, derisa më herët është përcaktuar që kjo përballje të luhet pikërisht në Shqipëri.

Leave a Reply