Angellovski zbulon listën për ndeshjet e tetorit, fton edhe futbollistin e Tiranës

Seleksionuesi i përfaqësueses së Maqedonisë, Igor Angellovski ka bërë publike listën e futbollistëve, tek të cilët do të mbështetet për 3 ndeshjet e tetorit, atë kundër Kosovës, e vlefshme për gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve për edicionin e kaluar (8 tetor në arenën “Todor Proeski”), si dhe dy ndeshjet e edicionit të ri, atë kundër Estonisë me 11 tetor në Talin dhe kundër Gjeorgjisë me 14 tetor në Shkup, njofton “infOSport.mk”.

Tashmë siç dihet Elif Elmas nuk do të jetë pjesë e këtyre ndeshjeve, pasi i njëjti ka rezultuar pozitiv me “Covid 19” dhe do të duhet të karantinohet për 14 ditë, ndërsa vendin e tij do të zë Ferhan Hasani, ish futbollisti i Shkëndijës, që luan me Helsinkin në Finlandë.

Angellovski fton Hasanin në vend të Elif Elmas

Për herë të parë tek përfaqësuesja e Maqedonisë është ftuar Daniel Bozhinovski, portieri i Sileksit, që sot bënte mrrekulli në portën e skuadrës nga Kratova në ndeshjen kundër Shkëndijës. Bozhinovski është ftuar në cilësinë e portierit të tretë, për të zëvendësuar ish portierin e Sileksit, Martin Bogatinov, që kishte rezultuar gjithashtu pozitiv me “Covid 19” te skuadra qipriote e Etnikos Ahna.

Në mesin e futbollistëve të ftuar figuron edhe emri i Goran Pandev, i cili është pjesë e ekipit më të infektuar në “Serie A”, Xhenoas. I njëjti në të trija testet kishte rezultuar negativ, mirëpo duke parë situatën e krijuar te skuadra e Xhenoas, e në përgjithësi edhe në “Serie A”, nuk është e sigurtë nëse edhe ai do të jetë i gatshëm për ndeshjet e tetorit, në të cilat trajneri Angellovski në disponim do të ketë plotë 23 futbollistë, përfshirë këtu edhe mbrojtësin e krahut të djathtë të Tiranës, Kristijan Toshevski, si dhe 6 futbollistët shqiptarë, Arijan Ademi, Visar Musliu, Egzon Bejtullai, Enis Bardhi, Ezgjan Alioski dhe Ferhan Hasani.

Leave a Reply