Kukësi i Agim Ibraimit në bojkot, shkak pagat! Drejtori Nexhipi takim me futbollistët

Kukësi nuk po kalon aspak momente të mira në këtë fillim sezoni në Superligën shqiptare, njofton “infOSport.mk”. Edhe pse skuadra nga Verilindja e Shqipërisë u fut me ambicie shumë të mëdha, kjo skuadër në dy xhirot e para pësoi dy disfata, madje duke mos arritur të shënojë.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme futbollistët në vend që të stërviteshin, vendosën të bojkotojnë, që i bie se dy disfatat e pësuara nuk kanë qenë të rastësishme, pasi futbollistët nuk janë paguar.

Edhe sezonin e shkuar ka pasur një problematikë të tillë, që është justifikuar me një marrëveshje mes drejtuesve dhe futbollistëve për t’u mbajtur dy paga në rast se nuk dilnin kampionë.

Gjatë ditës së sotme futbollistët kishin shkuar në stërvitje, por nuk janë zhveshur. Stafi teknik, i ndodhur në këtë situatë, është detyruar të raportojë situatën në të cilën gjendeshin.

Në ambientet e kompleksit stërvitor ka mbërritur drejtori sportiv, Nderim Nexhipi, i cili ka pasur një bisedë jo të gjatë me futbollistët. Ata presin të paguhen, ndryshe bojkoti mund të vijojë. Vërtetë momente aspak të mira te skuadra e Agim Ibraimit, i cili te Kukësi u transferua këtë verë, duke i besuar projektit të drejtuesve të kësaj skuadre, e që është titulli kampion.

 

Leave a Reply