Ramadani ironizon keq me Dritën e Nuhiut pas barazimit në “Fadil Vokrri”!

Superliga e Kosovës sot na dhuroi derbin e madh midis Prishtinës dhe Dritës, dy skuadra këto që udhëhiqen nga dy ish trajnerë të FC Shkupit, Zekirja Ramadani, gjegjësisht Ardian Nuhiu, shkruan “infOSport.mk”.

Rezultati përfundimtarë i këtij takimi doli të jetë i barabartë (1:1), me Dritën që ruajti epërsinë prej 9 pikëve ndaj Prishtinës, duke u shpallur kështu kampione e vjeshtës.

Pas përfundimit të ndeshjes prononcimin e tij e dha edhe trajneri i Prishtinës, Zekirja Ramadani, i cili fajin e kërkon në rradhët e skuadrës së vetë, pasi futbollistët e tij nuk shfrytëzuan shumë raste për gol.

“Gjithmonë kur nuk arrijmë fitore e shohim fajin te vetja jonë dhe asnjëherë nuk kërkojmë faktorë të tjetër për t’ia drejtuar gishtin. Faji është te ne, pasi që patëm shumë raste për shënim dhe nuk konkretizuam. Kishim kontrollën e lojës për pjesën më të madhe të ndeshjes, mirëpo nuk e arritëm atë që deshëm, për dallim nga Drita, që kishte ardhur për këtë rezultat dhe e arriti”, deklaroi fillimisht Ramadani, i cili ironizoi me Dritën, duke i akuzuar ata për zhagitje të lojës dhe se në këtë aspekt ata kanë eksperiencën e duhur.

“Ne po shiqojmë të bëhemi evropianë dhe të luajmë futboll duke mos tentuar ta zhagisim lojën. Por, e pamë skuadrën e Dritës pas rezultatit 1:1, teksa e zhagisnin lojën, pasi që ata e kanë eksperiencën për ta bërë këtë gjë”, – u shpreh Ramadani.

Pas barazimit të sotëm, Prishtina me 32 pikë të grumbulluara në 18 javë kampionat, stinorin vjeshtorë e mbylli në pozitën e tretë.

Leave a Reply