Strugani Atdhe Mazari vazhdon karrierën në Kroaci!

Atdhe Mazari karrierën e tij futbollistike do ta vazhdojë në elitën e futbollit kroat, duke shtuar në këtë mënyrë numrin e futbollistëve shqiptarë në këtë kampionat.

Informacione të besueshme pranë “infOSport.mk” bëjnë me dije se strugani sot (e shtunë) do të udhëtojë drejt Kroacisë, ku nga afër do të përcjellë edhe ndeshjen e skuadrës së tij të re, Varazhdin, në transfertën ndaj Gorica.

Burimet e njëjta thonë se Mazari ka arritur marrëveshje në parim me drejtuesit e Varazhdin, me të cilën skuadër të hënën pritet të firmos kontratë dy vjeçare.

Për sulmuesin 23-vjeçar do të jetë kjo hera e parë që do të luaj jashtë kufijve të Maqedonisë së Veriut, derisa i njëjti për dy vite të plota me mjaft sukses mbronte ngjyrat e Rabotniçkit.

Në 64 ndeshje me fanellën e “romantikëve”, strugani ka realizuar 18 gola, 8 prej të cilëve në 18 ndeshjet e stinorit vjeshtorë të këtij edicioni.

Ndryshe në Ligën e Parë, Mazari numëron gjithsej 86 ndeshje dhe 22 gola të shënuar, pasi i njëjti kishte luajtur edhe me  Struga Trim Lum dhe Pobedën, me të cilën skuadër kishte realizuar 4 gola në 16 ndeshje.

Gjatë karrierës së tij, Atdhe Mazari kishte luajtur edhe me ekipin e Ohrid Lihnidos, ndërsa gjithashtu edhe me ekipin e të rinjëve të Shkëndijës. (infOSport.mk)

Leave a Reply