SEEU ndeshjen ndaj Astibos e fiton në tavolinë

Skuadra e SEE Universitetit të Tetovës në futsal ka parashtruar ankesë deri te organet përkatëse të Federatës së Futbollit të Maqedonisë ndaj skuadrës së Astibos, me të cilën skuadër SEEU u takua në kuadër të javës së dytë në elitën e futsal vendor, njofton “infOSport.mk”.

SEEU në këtë ndeshje pësoi disfatë me rezultatin 2:5, mirëpo ajo që nuk kishte qenë në rregull në këtë ndeshje, e që me kohë e kishin vërejtur drejtuesit e skuadrës tetovare, kishte qenë inkuadrimi në lojë i lojtarit kundërshtarë, Jovica Markovski.

I njëjti është edhe pjesë e skuadrës së Bratsvo që garon në Ligën e tretë Futbollistike të Maqedonisë në futboll të madh, ndërsa në ndeshjen e 24 shtatorit që skuadra e tij e kishte zhvilluar ndaj Ilindenit, ai kishte sulmuar arbitrin kryesor, me ç’rast nga ana e FFM-së ishte dënuar me një vit mosloje në futbollin e Maqedonisë.

Ky dënim kishte hyrë në fuqi menjëherë që nga data 25 shtator të këtij viti, ndërsa rregullorja e FFM-së thotë se një futbollist i cili luan edhe në futboll të madh dhe i njëjti është dënuar me më shumë se një muaj, ai nuk ka të drejtë loje edhe në futbollin e vogël në palestër, transmeton “infOSport.mk”.

Ankesa nga ana e drejtuesve të SEEU është bërë me kohë dhe e njëjta tashmë po shqyrtohet nga ana e drejtuesve të FFM-së, të cilët me vendimin zyrtarë pritet të dalin të martën e ardhshme.

Përveç rezultatit 3:0 në tavolinë që do të duhet ti takojë SEEU-së, sipas rregullores ekzistuese ekipin e Astibos gjithashtu e pret edhe një dënim tjetër, që mund të jetë edhe me marrjen e pikëve.

Leave a Reply