Zahov vetëm 67 minuta larg rekordit të Gaçevskit

Shkëndija sot në kuadër të javës së 27-të shënoi një fitore të madhe në transfertën ndaj Pelisterit, duke mundur këta të fundit me rezultatin 0:6, njofton “infOSport.mk”.

Ishte kjo fitorja më e thellë në historikun e Shkëndijës e arritur në një ndeshje kampionale, ndërsa për më tepër ishte kjo ndeshja e 8-të me rradhë në të cilën “kuqezinjtë” nga Tetova me në krye portierin Kostadin Zahov nuk pranojnë gol. Për herë të fundit gardiani “kuq e zi” ishte mposhtur në ndeshjen e  parë të stinorit pranveror kundër Vardarit me 14 shkurt, kur në Tetovë dy skuadrat më të mira të vendit kishin barazuar me rezultatin 1:1.

Në atë ndeshje Zahov ishte mposhtur në minutën e 79-të nga kapiteni Boban Grnçarov, ndërsa që nga ajo ndeshje, përfshirë edhe ato 11 minuta të fundit, portieri numër një i Shkëndijës ka ruajtur portën e tij të paprekur për plotë 731 minuta. Rekordin mban portieri aktual i Vardarit, Filip Gaçevski, i cili në sezonin 2016/2017 si pjesë e Bregallnicës nuk kishte pranuar gol për plotë 797 minuta.

Pas tij renditet Tome Paçovski, i cili në sezonin 2007/2008 si pjesë e Rabotniçkit kishte ruajtur portën e tij të paprekur për plotë 791 minuta, ndërsa në pozitën e tretë në listën e përjetshme të portierëve me rrjeta të paprekura në LPFM, ndodhet Lazo Liposki, i cili si pjesë e Sloga Jugomagnatit, tashmë FC Shkupit, në vitin 1997 kishte ruajtur portën e tij të paprekur për plotë 740 minuta, transmeton “infOSport.mk”.

Për tu ngjitur në piedestal, Zahovit i nevojiten vetëm edhe 10 minuta, teksa për të thyer rekordin e Gaçevskit, Zahov në ndeshjen e së mërkurës kundër Vardarit në arenën “Filipi i Dytë” do të duhet të mbajë rrjetën e tij të paprekur së paku deri në minutën e 67-të.

Leave a Reply