FC Shkupi prezanton brazilianin Serzhinjo

Skuadra e FC Shkupit në prag të ndeshjes së parë kundër Gllazgou Renxhersit në kuadër të eliminatoreve të Liga Europa, ka prezantuar edhe përforcimin e 5-të gjatë kësaj merkatoje.

Pas firmosjes me Muarem Muarem, Amir Bilalin, Artan Veliun dhe portierin Igor Aleksovski, FC Shkupi sot ka prezantuar edhe brazilianin Sérgio Antonio De Luiz Junior, ose ndryshe i njohur me shkurtesën Serzhinjo.

Sulmuesi 23 vjeçar i krahut me skuadrën nga Çairi ka firmosur kontratë dy vjeçare, ndërsa me siguri se do të jetë një shtytje dhe kualitet në sulmin e FC Shkupit.

Një transferim të këtillë “infOSport.mk” kishte paralajmëruar që javë më parë, ndërsa tashmë bëhet realitet.

Ndryshe Serzhinjo ishte pjesë e skuadrave të Hajvalisë, Skendërbeut, Laçit dhe së fundit Rabotniçkit, te e cila skuadër luante si i huazuar nga skuadra korçare.

Në kampionatin e Shqipërisë ka regjistruar 36 paraqitje për Skënderbeun dhe Laçin, duke shënuar edhe 4 gola. Ndërkohë për një sezon te Rabotniçki shënoi 5 gola në 23 paraqitje. Serzhinjo është lindur në Bello Horizonte të Brazilit dhe ishte pjesë e skuadrës Vitoria, e cila është pjesë e kampionatit elitar të Brazilit, para se të nis aventurën evropiane te skuadra e Hajvalisë, në vitin 2015, në moshën 20 vjeçare.

Leave a Reply