Draksler drejt Milanit, Rodrigez te PSZH-ja

Edhe pse ende nuk ka asgjë zyrtare, zërat e fundit e çojnë gjermanin Julian Draksler te Milani. Në Gjermani madje po flitet për fiksimin e datës për vizitat mjekësore, edhe pse për momentin, ka patur vetëm disa kontakte mes futbollistit dhe Leonardos, i cili i ka treguar ish-futbollistit të Shalkes projektin e Milanit, duke i dhënë kohë e mjaftueshme për të vendosur.

Mirëpo ky transferim i mundshëm do të varet edhe nga Rikardo Rodrigez, që pëlqehet shumë nga PSZH-ja. Palët mund të bien dakord edhe për një shkëmbim kokë më kokë.

Zvicërani vlerësohet 35 milionë euro, ndërkohë që është blerë vetëm 15 milionë euro, plus tre të tjerë bonuse, një vit më parë.

Mbrojtësi i krahut për momentin e ka refuzuar kalimin te kampionët e Francës, pasi dëshiron të luajë me Milanin, ku për një vend titullari do të duhet të konkurrojë me kroatin Striniç.

Draksler ndërkohë nuk është në vëmendjen e teknikut të ri të PSZH-së, Tushel, ndaj drejtuesit parisien mund ta lejojnë me lehtësi largimin e tij nga “Parku i Princërve”.

Leave a Reply