Thuajse punë e kryer, zbulohet e ardhmja e Mauro Ikardit

Sulmuesi Mauro Ikardi këtë sezon ishte huazuar te Paris Sen Zhermeni, pasi Interi nuk i gjeti një blerës verën e shkuar dhe e dërgoi te kampionët e Francës me opsionin e blerjes përfundimtare për 70 milionë euro.

Megjithatë pandemia dhe kriza që ka kapluar edhe botën e futbollit, bënë që të harrohet shifra e 70 milionë eurove dhe klubet kanë nisur bisedime të tjera me shifra më pak të frikshme.

Sipas asaj që raportojnë mediat franceze, marrëveshja është arritur dhe po diskutohen detajet e fundit rreth ndarjes së shifrës, që do paguhet direkt dhe asaj në bonuse. Në diskutim janë vetëm pak milionë, ndërsa vlera totale e operacionit do të arrijë 60 milionë eurot.

Thuhet se Ikardi ka dhënë dritë jeshile, ndërsa një sinjal dha edhe agjentja dhe njëherit gruaja e vetë futbollistit, Uanda Nara, që la të nënkuptohej për një marrëveshje me kampionët e Francës.

Në këtë mënyrë Interi më në fund heq dorë nga një prej sulmuesve më të mirë të Europës, por që në Milano ishte aq i padëshiruar për shkak të qasjes së tij ndaj drejtuesve të klubit dhe pjesës tjetër të skuadrës. Ndërkohë, nga ana tjetër flitet edhe për një kalim të Kavanit në “Xhuzepe Meaca”, teksa gjithnjë e më shumë po përflitet për kalimin e Lautaro Martinez te Barcelona.

Leave a Reply