E bujshme, Interi piketon Strakoshën!

Një lajm shumë i bujshëm na vjen nga Italia. Gardiani shqiptarë, Thomas Strakosha ka përfunduar në orbitën e Interit dhe Xhuzepe Marota po interesohet që të sigurojë sa më shpejtë firmën e portierit shqiptarë, i cili si duket nuk është i kënaqur te Lacio, sidomos me faktin që tashmë është vetëm një rezervë e veteranit, Pepe Reina.

Strakosha është në vitin e tij të fundit të kontratës me Lacion dhe rinovimi, për një arsye apo një tjetër, nuk ka ardhur ende.

Ditët e fundit u fol për një tjetër afrim të tij me Lacion, drejtuesit e së cilës skuadër janë gati të plotësojnë kërkesën e tij për rritje rroge. Por gjithçka mund të ndryshojë me këtë lëvizje të Interit.

Sipas mediave italiane, Xhuzepe Marota, i cili ka një preferencë të veçantë për lojtarët me parametër zero, ka nuhatur se afrimi i Strakoshës mund të kthehet në një goditje rëndësishme për “zikaltërit”, të cilët pak nga pak kanë filluar rinovimin.

Edhe pse thuhet se Interi ka siguruar firmën e Onana të Ajaksit si pasardhës për Handanoviç, të kesh një portier me eksperiencë në Serie A si Strakosha në përbërje, nuk është aspak keq, sidomos kur vjen falas. Ndaj Marota po bën gati lëvizjen e tij për të siguruar portierin e përfaqësueses shqiptare, i cili ndërkohë vazhdon të mbetet zgjedhje e dytë te Lacio dhe mund të vendosë të nisë një aventurë të re, pse jo nën drejtimin përsëri të atij që i besoi i pari në elitën e futbollit italian, Simone Inzagit.

Leave a Reply