Panuçi ndryshon skemë, ndaj Skocisë me 5 mbrojtës

Kristian Panuçi edhe pse e ka përsëritur vazhdimisht se Shqipëria do të luajë futboll sulmues, si duket shumë shpejt iu është kthyer skemave mbrojtëse të paraardhësit të tij, Xhiani De Biasi. Duke pasur parasysh rëndësinë e takimit të sotshëm përballë Skocisë në ndeshjen e dytë të Ligës së Kombeve, strategu italian sipas asaj që raporton “Supersport” do të luaj me skemën 5-4-1, ku detyra kryesore do të jetë të mos pranohet gol, duke shpresuar që Shqipëria të marra një pikë nga kjo transfertë, që do e bënte më të thjeshtë vazhdimësinë e “kuqezinjëve” në Ligën e Kombeve.

Kjo është skema që Panuçi përdori edhe në minutat e fundit në ndeshjen kundër Izraelit të fituar 1:0 nga kombëtarja shqiptare, kur tërhoqi skuadrën thuajse plotësisht mbrapa.

Në portë i paprekshëm do të jetë Thomas Strakosha, ndërsa para tij do të rreshtohen Mavraj, Xhimshiti dhe Veseli, të cilët në një hapësirë të vogël do të bëjnë trekëndëshin para portës së tyre.

Në krahët e prapavijës, Hysaj dhe Binaku janë dy emrat e konfirmuar dhe të paprekshëm për trajnerin e kuqezinjëve, ndërkohë, Basha dhe Memushaj do të luajnë në qendër në mesfushë, me Hykën që ruan vendin e tij majtas, si dhe Xhakën djathtas.

Ky rreshtim i mundëson Panuçit që të formojë mesfushën me romb në rast nevoje, me Hykën që do të kthehej në një lloj sulmuesi të dytë, pas krahëve të Balajt i cili ka fituar balotazhin me Gurin.

Ndeshja Skoci-Shqipëri starton në ora 20:45 dhe e njëjta do të zhvillohet në impiantin e mirënjohur “Hampden Park” në Gllazgou.

Leave a Reply